VV i zhduk shkrimet dhe komunikatat nga viti 2005 deri në vitin 2014

Një rikujtim në media i një komunikate të vjetër të Lëvizjes Vetëvendosje ku kritikohej ashpër ish-presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova ka mjaftuar që LVV t’i fshiej nga uebfaqja zyrtare e partisë të gjitha komunikatat dhe shkrimet për 11 vite.

Në uebfaqen e kësaj partie, të gjitha shkrimet nga viti 2005 deri në vitin 2014 janë fshirë.

Gjatë ditës së djeshme, lajmi.net ka sjellur në kujtesë një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje ku thuhej se misioni i NATO-s dhe bombardimi 78 ditorë i Serbisë nuk e ka çliruar Kosovën, por për më tepër, e ka forcuar sovranitetin e Serbisë mbi Kosovën, shkruan lajmi.net.

Kjo komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje ishte fshirë nga uebfaqja e partisë, por lajmi.net e kishte përmbajtjen e kësaj komunikate e cila u publikua dje.

Publikimi i komunikatës për ish-presidentin Rugova dhe komunikata ku mohohet roli i NATO-s në çlirimin e Kosovës kanë bërë Lëvizjen Vetëvendosje që t’i fshiej të gjitha komunikatat për 11 vite histori të partisë.

Vetëvendosje gjithashtu ka larguar nga faqja e partisë edhe komunikatën që mbante titullin “Biden e di mirë”, referuar vizitës së presidentit të SHBA-ve, aso kohe zëvendëspresident në Kosovë.

“Nënkryetari i SHBA-ve, Joseph Biden, nuk erdhi në Kosovë për t’ia mbajtur një fjalim Kuvendit të Kosovës. Nuk besoj ai ta ketë ndjerë nevojën e tifozerisë së deputetëve kosovarë që duartrokasin deri në delir si ndonjëfarë sekti primitiv. Nuk besoj as ta ketë marrë malli për Manastirin e Deçanit apo të ketë ardhur për t’i ngushëlluar ushtarët amerikanë për jetën e rëndë që bëjnë në kampin Bondsteel”, thuhet ndër të tjera në këtë shkrim.