Yllka ofron artin e saj si mundësi për ta ndihmuar

Yllka Leti është e diagnostikuar me fibrozë cistike. Ajo ka nevojë për ndihmë, në mënyrë që të mund t`i blejë barnat, të cilat i duhen për trajtimin e kësaj sëmundje. Barnat janë mjaft të kushtueshme dhe nuk gjenden në Kosovë.

Yllka nuk dëshiron që ndihma të jepet në formë të lëmoshës, por përmes blerjes së pikturave të saj. Ajo ka një talent të rrallë në art.

Një grup i të rinjve ka vendosur ta ndihmojë Yllkën, duke organizuar një ekspozitë, ku ajo do t`i ofrojë punimet e saj në shitje.

Organizatorët e ekspozitës “65 Roses” kanë ftuar shumë mysafirë në mbrëmjen që do të organizohet për Yllka Leti, më 6 dhjetor (e premte), ora 19:00, në restorantin “Menakon Resort” në fshatin Makresh.

Yllka ka talent të madh në pikturë, prandaj ka menduar ta bëj më të lehtë për njerëzit që ta ndihmojnë atë, duke i ofruar në shitje pikturat e saj. Në mënyrë, përmes artit të saj, Yllka mendon se për të dhe familjen do të jetë më e përballueshme blerja e barnave, të cilat janë mjaft të kushtueshme dhe nuk gjinden për t`u blerë në Kosovë.

Duke e ditur se Gjilani ka shumë njerëz vullnetmirë dhe të cilët me shumë dashuri do t`i bashkoheshin kësaj iniciative, grupi organizativ ka vendosur që ta sjellë Yllkën dhe ngjyrat e bukura të pikturave mes jush.