Zvicra do të sigurojë 3000 vende pune për kosovarët

Ambasada e Zvicrës në Kosovë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë nënshkruar marrëveshje të re për t’i përmirësuar perspektivat e punësimit për të rinjtë dhe të rejat në Kosovë në katër vitet e ardhshme.

Sipas njoftimit ambasadori i Zvicrës në Kosovë dhe ministri në detyrë, Skënder Reçica kanë nënshkruar marrëveshje për vazhdimin e projektit “Enhancing Youth Employment” edhe për katër vitet e ardhshme.

“Qëllimi i këtij projekti është zvogëlimi i shkalles së lartë të papunësisë së të rinjve , duke lehtësuar fazën e tranzicionit nga shkollimi në punë për të rinjtë dhe të reja. Me këtë rast ambasadori Kolly theksoi rëndësinë e angazhimit të ngushtë të sektorit privat si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal. Iniciativa bazohet në të arriturat dhe mësimet e nxjerra në fazat e mëhershme (2013-2020). Falë zhvillimit të aftësive të rëndësishme për tregun e punës dhe sigurimit të informacionit më efikas për sektorin privat dhe për punëkërkuesit, mbi 5.000 të rinj kanë gjetur punë gjatë tetë viteve të fundit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në periudhën 2021-2024 edhe 3000 të rinj pritet të gjejnë punë përmes këtij projekti.