Zyrtare: KQZ nuk e certifikon listën e VV’së, Albin Kurti s’mund të garojë për deputet

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar listën e Lëvizjes Vetëvendosje, raporton gazeta online Mediafokus.info.

Kjo pasi që ‘pro’ certfitikimit të listës së VV’së kanë qenë vetëm pesë anëtarë të KQZ’së.

“Janë 5 kandidatë të LVV’së për deputetë që s’janë zëvendësuar”, ka thënë kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka, në mesin e të cilëve edhe Albin Kurti, i cili ka vendim të prerë për dënim nga instancat gjyqësore.

Ndërkohë, nuk është certifikuar as lista e kandidatëve të Nismës dhe AAK’së, derisa u certifikua ajo e LDK e PDK.

Sipas KQZ’së, partitë politike duhet ta dërgojnë listën me zëvendësimet e personave të cilët brenda 3 viteve të fundit janë shpallur fajtorë nga gjykatat e vendit.

Këtë nuk e ka bërë akoma LVV, AAK dhe Nisma.

Ndryshe, mbledhja e sotme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka nisur para gjashtë orësh dhe është përcjellë me përplasje të ashpra verbale, kryesisht mes dy anëtarëve të Vetëvendosje dhe kryetares së KQZ’së.

Partitë që nuk janë certifikuar kanë të drejtë ankese 24 orë në PZAP. /Mediafokus.info/