Arrestohet personi që kërcënoi presidentin Thaçi

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar personin që ka kërcënuar Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, përmes rrjeteve sociale, raporton Express.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Policia ka bërë me dije se personi i dyshuar është një 40-vjeçar me inicialet K.P, nga rajoni i Mitrovicës.

Atij I është kontrolluar shtëpia dhe objektet përcjellëse dhe me vendim të prokurorit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Hetuesit policor, kanë arritur të identifikojnë personin e dyshuar (K.P. 1980) dhe vendbanimin e tij, me ç‘rast kanë kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse të cilat gjendeshin në rajonin e Mitrovicës. Me vendim të prokurorit kompetent personi i dyshuar pas intervistimit është dërguar në mbajtje për dyzet e tetë (48) orë”, thuhet në komunikatë.