Të hiqet kufizimi i lëvizjes, të respektohet distanca sociale

SINAN SADIKU

Kufizimi i lirisë së lëvizjes, në aspektin që njerëzit të mos mund t`i blejnë gjërat ushqimore gjatë tërë ditës e ka krijuar një gjendje të tmerrshme.

Sot në mëngjes, po edhe dje pas orës 16.00, nëpër shitoret, furrat, barnatoret… e Dardanës ishte tollovi e madhe.

Në atë tollovi nuk ekzistonte mundësia për t`i respektuar udhëzimet e IKSHPK dhe masat në vend se të kontribuojnë parandalimit të përhapjes së infektimit me Covid 19, janë duke e bërë krejtësisht të kundërtën.

Institucionet nuk duhet të marrin masa të tilla që i dënojnë të gjithë qytetarët, por duhet të kujdesen që të zbatohen masat që e parandalojnë përhapjen e pandemisë.

Po dihet, disa qytetarë nuk i respektojnë ato masa dhe të tillët duhet të dënohen, madje të dënohen rëndë në mënyrë që të mbushen mend, e jo që për hatër të tyre ta pësojnë të gjithë qytetarët e Kosovës.

Kur një tollovi e tillë krijohet në Dardanën e vogël, mendojeni çka gjanë në qytetet e mëdha siç janë Prishtina, Gjilani etj.

Andaj qeveria do të duhej që urgjentisht t`i heq masat e tilla dhe njerëzve t’ua mundësojë të furnizohen me artikuj ushqimorë gjatë tërë ditës.

Dikush shkon në shitore në ora tetë, dikush në ora nëntë, dikush në ora 11… Secili sipas ritmit të vet jetësor, ashtu siç ngjante para se qytetarët të detyroheshin që doemos të furnizohen deri në ora 10, ose pas orës 16.

Pra gjendja ishte shumë më e mirë para se të vendoseshin kufizimet. Po dihet në çdo shoqëri ndëshkohen ata të cilët nuk i respektojnë rregullat.

Pra le të ndëshkohen ata që nuk e ruajnë distancën dhe nuk i respektojnë udhëzimet për ruajtje nga Coronavirusi dhe puna do të jetë mirë.