E thotë mjeku më i njohur shqiptar: Kot e mbani maskën nëse e lini të zbuluar hundën

Infektologu Pëllumb Pipero thotë se situata është serioze, por jo për tu alarmuar. Mjeku u bënë apel qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos heqin dorë nga mbajtja e maskës dhe ruajtja e distancës.

Në emisionin “ABC-ja e mëngjesit” Pipero sqaroi se duhet treguar kujdes edhe ndaj përdorimit të maskave, për shkak të COVID-19. Po ashtu duhet edhe të oksigjenohemi, tha ai.

Jo çdo maskë duhet vendosur në fytyrë, sepse maska duhet të jetë e tillë që mundëson edhe thithjen e oksigjenit.

Sakaq Pipero theksoi se nga fundi i tetorit apo fillimi i nëntorit mund të kemi edhe një vaksinë, por askush nga nuk duhet të presë një mrekulli nga vaksina, ndërsa shtoi se ka më shumë besim te ndërgjegjësimi i qytetarëve.

Pjesë nga biseda:

Situata ka qenë, është dhe do të jetë shqetësuese, por jo për të vendosur alarmin. Shqetësuese, them sepse numrat janë në rritje, rastet në spitale dhe rastet e rënda janë shtuar dhe për fat të keq duket sikur ka dy realitete. Një realitet jashtë spitalit, ku duket sikur nuk ndodh gjë dhe më pas situata në spital që nuk është e lehtë. Secili nga ne duhet të ushtrojë përgjegjësitë e tij. Ky virus na ka rënë të gjithëve, edhe pushtetarët edhe qytetarët duhet të të tregohen të ndërgjegjshëm. Duhet t’i dëgjojnë këshillat për të vendosur maskën dhe jo për ta mbajtur si stoli. Rruga kryesore e transmetimit është hunda dhe në shumicën e rasteve e mbajmë zbuluar. Maska e thjeshtë kirurgjikale mund të përdoret deri në katër orë dhe më pas duhet ta ndërrosh. Maska ka një protokoll si vendoset dhe se si hiqet, duhet të kemi kujdes sepse pjesën e jashtme nuk duhet ta prekim, ose nëse e prekim, duhet ta heqim dhe duart të lahen. 

Ky virus vijon të ketë shumë të panjohura, merret me rrugë respiratore, por nuk po sillet si i tillë. Ende mund të kemi shumë të papritura, ka një problem tjetër po kaq madhor. Në fund të vjeshtës dhe dimrit fillojnë viruset stinore që janë po kaq të rrezikshme. Duhet të mundësojmë së paku parandalimin e dëmeve, për fat të mirë për to kemi vaksinë, por në këtë situatë secili nga ne ka detyrë të mundësojë kufizimin për përhapjen e pandemisë. Maskat duhet të plotësojnë disa standarde të cilat i kontrollojnë institucionet”.

Të gjithë ne specialistët kemi thënë ato që ishin evidentuar për momentin dhe kemi hedhur hipoteza se si mund të jetë më tej. Pothuajse në të gjitha vendet e botës ka luhatje. Përgjithësisht mbyllja ishte zgjedhje, por jo zgjidhje. Për viruset, bota deri më sot ka shumë pak zgjidhje. Por kjo nuk do të thotë se meqë dje e thamë ndryshe të mos reflektojmë. Duhet të ushtrojmë të njëjtën përgjegjësi që së bashku të zvogëlojmë dëmin”, tha Pipero.

“Duhet të kalojnë së paku 18-24 muaj që të arrihet raporte afatgjata në lidhje me imunitetin. Besoj që vaksinën do ta kemi në fund të vitit. Kam besim te vaksina, por më shumë besim kam tek ndërgjegjja qytetare”, ka thënë infektologu i njohur shqiptar, Pipero.