Ferat Rexhepi, djaloshi nga Gofilja që u bë emër i njohur i shekncës në botanikë
Profesori Ferat Rexhepi (1942–2019) ishte një nga emrat e shquar të botanikës në Kosovë, i cili me punën e tij shkencore dhe pedagogjike dha një kontribut të çmuar në studimin e florës dhe vegjetacionit të vendit.
I lindur në vitin 1942 në fshatin Gofile të komunës së Skenderajt, ai hapat e parë të shkollimit i bëri në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm dhe studimet i vazhdoi në Mitrovicë, Prishtinë, Zagreb dhe Novi Sad.
Gjatë viteve të studimeve punoi edhe si mësimdhënës i biologjisë në shkolla fillore në Prishtinë dhe Obiliq.
Studimet pasuniversitare në degën e Botanikës i përfundoi në Universitetin e Zagrebit me temën „Flora dhe vegjetacioni i Novobërdës“, ndërsa doktoratën e mbrojti në Universitetin e Novi Sadit, në vitin 1978, me temën „Fitocenozat barishtore në regjionin kodrinor të Kosovës“.
Karrierën universitare e ndërtoi në Universitetin e Prishtinës, ku avancoi nga asistent i Botanikës në ligjërues, profesor inordinar dhe më pas profesor ordinar.
Për dekada me radhë ai edukoi breza studentësh, duke u dalluar për përkushtimin në mësimdhënie dhe për qasjen serioze ndaj punës shkencore.
Krahas veprimtarisë pedagogjike, profesori Ferat Rexhepi zhvilloi kërkime të shumta në fushën e florës dhe vegjetacionit të Kosovës.
Ai botoi një numër të madh punimesh dhe studimesh shkencore, të cilat mbeten referencë e rëndësishme për botanikën shqiptare.
Gjithashtu, është autor i disa teksteve universitare që kanë ndihmuar në formimin profesional të brezave të studentëve të biologjisë.
Edhe pse punoi në Prishtinë deri në pensionim, ai jetoi në Gjilan, ku gëzoi respekt të madh si profesor, studiues dhe intelektual.
Profesori Ferat Rexhepi u nda nga jeta më 18 nëntor 2019, në moshën 77-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të vyer në arsimin e lartë dhe në shkencën botanike të Kosovës./Mediafokus.info

