Gazetari Hasan Bunjaku: Vështirë qenka ta humbësh djalin

Sot, më 20 janar, bëhen një muaj që kur na e le lamtumirën, na ike aq beftë, o gëzimi ynë i parë, i para 46 vjeçe, e unë e familja, assesi të pajtohemi me humbjen tënde në moshën më të mirë të një jete njeriu.

Thonë koha i shëron plagët, ndërkaq që plaga nga dhembja, pikëllimi e malli për ty veç sa po hapet dita më ditë.

Vështirë qenka ta humbësh djalin kur je në një moshë kaq të shtyrë, si unë, o bir, por na mbanë në jetë krenaria që të patëm çfarë rrallë kush pat një kësi biri, vëllai, motra, biri, bija, bashkëshortja dhe mbarë familja Bunjaku e çdokush që të njofti e të njofti një qytet i tërë si një njeri që çfarëdo bëri e në jetë kudo e kurdo mbolli vetëm energji pozitive.

Një djalë i pashembullt për prindër, një profesor që mbolli dituri dhe edukatë të paparë, një bashkëshort i tipit bashkëkohës, një baba i dy yjeve që se kishte shoqin, një shok e mik çfarë rrallë i gjen në ditët e sotme, një koleg koheziv, një ekspert shembullor i matematikës, një folës, gazetar e moderator elokuent i programeve në dy Radio sa punoi, një burrë plot elan e energji, entuziazëm e optimizëm, një njeri, praninë e të cilit, secili do ta mirëpriste, edhe për një sens humori që e posedoje…

Na le që të të kujtojmë për jetë të jetëve, o biri im, o dhembja ime e pashëruar…

U prehsh në paqe e qoftë i paharruar kujtimi për ty, bir!