Hoti: Bashkimi kombëtar ndodh me integrim në BE

Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, në një tubim zgjedhor në Junik ka folur për idenë e bashkimit kombëtar duke thënë se shqiptarët do të bashkohen vetëm duke u integruar bashkë në Europë.

Ai aludoi në deklaratat e Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit që proklamojnë bashkimin me Shqipërinë.

“Shteti i Kosovës është i përhershëm dhe bashkimi shqiptar ka me ndodhë. Krejt shqiptarët kanë me u bë bashkë në integrimet europiane. Ata që, në këtë regjion të Kosovës në veçanti, lëshojnë këso farë metafora dhe populizma, e dinë shumë mirë se si bëhen këto punë. Ata e dinë se si e kanë lënë qeverinë, si i e kemi gjetur qeverinë dhe si është dashur të veprojmë ne për t’i nxjerrë me fytyrë edhe ata”, tha Hoti.