Ka ndërruar jetë Bahrije Krasniqi, ish-punëtorja e gazetës Rilindja në Bujanoc

Në moshën 53-vjeçare, pas një sëmundje të gjatë, ka ndërruar jetë Bahrije Krasniqi nga Bujanoci, shkruan tempulli.

Në kohët më të vështira për popullin shqiptar, gjatë periudhës 1999-2000, Bahrija punoi në qoshkun e Rilindjes në Bujanoc, që ishte pika e vetme e shitjes së gazetës.

Ajo mbante gjallë informimin shqip në Bujanoc, duke shpërndarë botimet e Rilindjes.

Më vonë punoi në Shtëpinë e Shëndetit në Bujanoc, meqë me profesion ishte laborante, por asnjëherë nuk i bënë kontratë të përhershme, ndonëse punësimi dhe integrimi i personave me nevoja të veçanta ishte i paraparë me program.

Bahrija do të kujtohet gjithmonë si një person komunikativ, miqësor dhe i dashur për qytetarët e Bujanocit dhe më gjerë.