Në Zürich me marksist-leninistin dhe njeriun që i iku dashnorja

Shkruan: Daut Dauti

Pasi i kreva shumicën e provimeve, në një mbrëmje verore i hipa trenit në Fushë Kosovë dhe, pas një nate dhe një dite rrugë, zbrita në Zürich. Përceptimet i mia për këtë vend dolën gati të sakta: Zvicra vërtetë ishte një lloj parajse.

Ditët e para i kalova duke qëndruar te disa kusherinj dhe duke shpresuar se do të gjeja punë e do të kurseja ndonjë frang që do të më duhej kur do t’iu kthehesha studimeve në vjeshtë. Pas disa ditëve u vendosa në një ‘Youth Hostel’ që ishte afër sheshit Kreuzplatz. E shfrytëzoja kartën studentore dhe paguaja 20 franga fjetjen dhe mëngjesin. Ishte shumë mirë aty. Hosteli vazhdimisht ishte i mbushur me të rinj e të reja studentë nga Evropa dhe Amerika. Kjo ishte bota ime dhe aty do të qëndroja gjatë sikur të kishte mundësi. Por, gjërat gjithmonë ndodhin në mënyrë të pa parashikuar.

Gati çdo ditë shkoja te një kusheri që punonte në një restorant që quhej ‘Blau ecke’ e që gjendej në ‘Langstrasse’. Kjo rrugë atëherë ka qenë e njohur për lokale të natës dhe prostitucion. Në mbrëmje trotuaret mbusheshin me prostituta të të gjitha moshave, formave dhe racave. Vazhdimisht shiheshin grupe dhe individë duke negociuar çmimin me prostitutat.

Një ditë në ‘Blau ecke’ kusheriri më njoftoi me një njeri tejet të pazakonshëm. Ai kishte vend në banesën e tij dhe unë mund të shkoja të qëndroja deri të gjeja punë e të mos paguaja për fjetje në hostel. Ky tipi ishte shqiptar nga Turqia dhe diku rreth 40 vjeç. I gjatë me trup, me mjekërr dhe syza. Dukej tamam intelektual. Në Turqi ishte përfshirë në aktivitete majtiste, të cilat atëherë kanë qenë në modë. Prandaj, duke i ikur burgut, kishte ardhur në Zvicër ku kishte kërkuar azil dhe e priste përgjigjen nga organet zvicërane.

‘Jam marksist-leninist’ – më tha me mburrje. Në një farë mënyre unë u gëzova se tashti kisha mundësi ta diskutoja marksizmin me të. Sapo e kisha kryer provimin e kësaj lënde me notë maksimale dhe pasi që kisha lexuar mjaft material, e ndjeja vetën kompetent për debat. Pasi që u njoftuam dhe bëmë pak muhabet, shkuam në banesën e tij që ishte në ‘Militarstrasse’.

Kur hyra në banesë … çka me pa!? Muri plot me fotografi e postera të revolucionarëve: Marksi, Engelsi, Lenini, Stalini dhe natyrisht, shoku Enver Hoxha. Për ta bërë pamjen edhe më bizare, në derë qëndronte i ngjitur një poster, aq sa ishte dera, i Gjejms Dinit. Përskaj derës në një orman, posteri i Elvis Prislit. I pari, pra Gjejms Dini, në teknikë bardh e zi kurse Elvis Prisli me ngjyra. Në mënyrë impozante qëndronte Gjejms Dini me pushkë ‘winchester’ pas krahëve, pak si i kërrusur, me ‘sheshir’ në kokë kurse në trup një xhaketë xhins. Seks simboli, siç ka qenë Gjejms Dini, në gojë e mbante një cigare kurse shikimin e zjarrtë mashkullor e melankolik e kishte të drejtuar kah fotografitë e revolucionarëve. Elvis Prisli, si zakonisht. Me kitarë në prehër, me rroba vizëlluese dhe me shikim ‘easy going’ dhe ‘I don’t give a damn’.

Tash, unë nuk kisha se si të mos e pyesja marksist-leninistin pse Elvisi dhe Gjejmsi gjendeshin aty?

‘Këta dy i ka vnu dashnorja jeme’ – më tha pak si nën faj.

Dashnorja zvicërane me siguri kishte dashur të krijoj njëfar balansi kulturor në këtë havari bizare ikonografike. Për me i ra kësaj pune shkurt, ky tipi, markist-leninisti pra, nuk kishte asnjë lidhje, ama bash hiq, me marksizëm-leninizëm. Në banesë i kishte disa libra të Enver Hoxhës dhe material tjetër propagandistik komunist, por nuk i kishte lexuar apo nuk i kishte kuptuar. Tërë besimin në marksizëm-leninizëm e kishte të bazuar në thashetheme dhe përralla. Psh. ai besonte që Shqipëria ishte superfuqi atomike, ishte vend ku nuk ka administratë sepse drejtorët e fabrikave dhe funksionarët e shtetit angazhohen në prodhim e zyret janë të zbrazëta. Udhëheqësi më i madh në botë ishte Enver Hoxha kurse Shqipëria gëzonte mirëqenie të lartë dhe drejtësi. Prandaj, qëllimi i tij ishte që kështu ta bënte edhe Turqinë e më vonë edhe pjesën tjetër të botës. Kjo mund t’ju duket qesharake, por ai besonte në këtë gjë përkundër faktit që mendja e shëndoshë e njeriut do të angazhohej që botën, së bashku me Shqipërinë dhe Turqinë, ta bënte si Zvicrën.

Thënë shkurt, ishte një tip të cilin naiviteti e kishte zhytur në një botë të iluzioneve dhe e kishte shndërruar në një person mjaft tragjik. Ditë e natë i mbante perdet e lëshuara në dhomë, i ndizte dritat e kuqe dhe pinte uiski me akull. Kur nxehej, përmallimi e detyronte ta shikonte një fotografi të gruas dhe dy fëmijëve që i kishte lënë në Turqi dhe i puthte. Një fotografi tjetër, ku shihej ai duke pushuar dhe duke ngrënë bostan nën hijen e një ‘prikolice’ të traktorit, e kishte ngjitur mbi kokë në shtratin ku flinte. Kishte tokë në Turqi dhe dukej se vinte nga një familje e kamur. Por, ja që kishte vendosur të bëhej revolucionar e ta bënte Turqinë Shqipëri që ta befasonte edhe utopistin më skeptik.

Kur i shkonte shishes së uiskit kah fundi, shpesh me ndihmën time, i gufonin ndjenjat, ngritej në këmbë dhe gatitu drejtohej kah fotografitë e revolucionarëve. Në këtë moment e formonte grushtin që e afronte te koka në nivel të ballit dhe bërtiste:’ Aaah Shqipëri breeee. Ooo Enver Hoxha he tungatjetaaaaaa’. Pastaj, mundohej t’i këndonte disa këngë patriotike shqipe por e tradhëtonte melodia që i dilte turqisht.

Vërtetë ishte patriot sipas masës së tij. Kishte lindur në Turqi, e mbante veten për shqiptar dhe fliste mjaft mirë shqip. Por motorri që ia shtynte ndjenjat dhe veprimet, ishte dalë mode dhe ta hasje një njeri në situatë të tillë në Zvicër, ishte më shumë se çudi. Por, në anën tjetër, ndoshta kjo gjë ishte normale për shkak se Lenini nga Zürich-u është kthyer në Rusi për ta udhëhequr Revolucionin e Tetorit. Mirë që ky marksisti im nuk e dintë këtë gjë.

Një ditë, derisa po pinim kafe në një restorant buzë liqenit, erdhi njëri që ky e kishte shok. Ky tipi erdhi për ta kuvenduar një hall të madh që kishte. Ia kishte marrë njëri dashnoren dhe tashti kërkonte ndihmën tonë që t’ia kthenim. Marksisti u nxe aq shumë, u ngrit në këmbë dhe tha:’Pritni qetu se po shkoj me marrë alltien’. Ia dolëm t’a bindnim që nuk kishte nevojë për allti. Nuk e kisha aspak të qartë se çka i duhet njeriut alltia në Zürich?

Sidoqoftë, puna erdhi ashtu që unë shkova me këtë tipin që t’i ndihmoja t’a kthente dashnoren. Nuk kishte dert që nuk e njihja se kush ishte ky tipi. Në gurbet shqiptari duhet me i ndihmu shqiptarit, apo jo? Me tramvaj e kaluam ‘Europabrücke’ dhe u ndalëm para disa soliterave dhe hymë në njërin prej tyre ku banonte dashnorja e ikur. Sapo trokiti ky tipi në derë, ajo doli me një nervozë të madhe. Tensioni u ngrit që në llafet e para. Ajo refuzonte t’i kthehej dhe bënte me dije se kishte kohë që e kishte gjetë një tjetër. E poshtër, fare.

Pas pak, prapa shpinës së kësaj fisnikes doli dashnori i saj i ri. Dukej serioz, me syza të errëta të diellit dhe pamje aziatike. Mund të ishte nga ato shtetet që nga Malejzia e deri në Japoni. Por, ajo e zuri derën dhe nuk e lejonte që të dilte në korridor se do të plaste rrahja mes nesh. Unë e hëngra në sy aziatikun dhe do ta nokautoja menjëherë sikur të dilte. Kështu ma merrte mendja mua. Bishti i tij me ia marrë dashnoren shqiptarit.

Por, atë që nuk e dija unë, e që e mora vesh më vonë, ishte se ky dashnori aziatik ishte mjeshtër i karates dhe e kishte shkollën e tij në Zürich ku kishte marrë mësim edhe kjo fisnikja. Pasi që bëhej zhurmë, fqinjtë filluan të dilnin në korridor dhe thanë se do ta thërrisnin policinë nëse ne nuk largoheshim. Është një fakt i çuditshëm me shqiptarët në Zvicër: frigohen shumë nga policia. Prandaj, ia mbathëm fluturimthi shkallëve teposhtë.

Rugës e pyeta këtë dashnorin e pafat:’pse s’ke kallxu që ky tipi që ta ka marrë dashnoren është karatist?’

‘Me t’pas kallxu, ti nuk kishe ardhë’ – më tha.

Sidoqoftë, ky nafak-premi mbeti pa dashnore. Megjithatë, shpëtuam mirë se ky karatisti me siguri do të na rrihte te dyve. Mirë që nuk erdhi marksisti me allti se kush e di se si do të zhvillohej ngjarja. Ndoshta sikur të vinte marksisti me allti, ky tregim do të ishte më interesant ose nuk do të kishte tregim fare nëse fundi do të ishte tragjik.

Por, mua më erdhi shumë inati që u gjeta në këtë rreth. Nga aty, menjëherë shkova në Bern dhe nuk i pashë kurrë më këta njerëz. Më nuk takova njerëz si këta dy, por kam përshtypjen se kishte edhe tjerë të këtillë. Ky episod një kohë më ka shtyrë që të mendoja se këto ditë i kisha kaluar kot, por më vonë e kam kuptuar se ka qenë eksperiencë që më ka ndihmuar. Kjo ka ndodhur në verën e vitit 1980. Megjithatë, kohë interesante. Insan halli. Atëherë bota kishte shumë budallë. Njësoj, sikur sot.

P.S. Ky në fotografi jam unë në Langstrasse – Zurich. Fotografia është e ditëve të këtij tregimi