Politikani shqiptar në Mal të Zi kërcënohet me vdekje nëse bashkëpunon me ‘çetnikët’

Politikani shqiptar më ‘problematik’ për momentin në Mal të Zi, sa i përket bindjes politike, Dritan Abazoviq, është kërcënuar me jetë nga një shtetas malazez me inicialet R.S.

Autoritetet kanë kërkuar ndihmën e Interpolit për ta arrestuar kërcënuesin, meqë ai nuk jeton në Mal të Zi, shkruan Danas.

Në një mesazh kërcënues, Abazoviq u kërcënua se do të vritej nëse bashkëpunon me çetnikët në krijimin e qeverisë së re malazeze, raporton rtcg.

“Nga një llogari në rrjetin social, kërcënimet iu dërguan liderit të partisë politike URA, Dritan Abazoviqit, me të cilën u informua policia. Kjo e fundit ka identifikuar 69-vjeçarin nga Rozhaja, si personin që i dërgoi kërcënime politikanit, për të cilin u njoftuan oficerët e Departamentit të Sigurimit të Rozhajës”, njoftoi policia.

Sipas deklaratës së një të afërmi të R.S., kërcënuesi nuk jeton në Mal të Zi, por në Suedi dhe përmes Departamentit për Bashkëpunim Operacional Policor, një kërkesë iu përcoll Interpolit në Suedi, thotë policia.