Punëtorët duhet të refuzojnë punën aty ku u rrezikohet jeta
Siguria në sektorin e ndërtimit në Kosovë vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore, ndonëse sipas Shoqatës së Ndërtimit, muajt e fundit janë shënuar përmirësime të dukshme në zbatimin e standardeve të sigurisë në vendpunishte.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë, Valon Vataj, në një prononcim për IndeksOnline, tha se niveli i sigurisë ende nuk është aty ku duhet të jetë, por theksoi se kompanitë po tregojnë përkushtim më të madh në mbrojtjen e punëtorëve.
Ai theksoi se përgjegjësia për sigurinë nuk bie vetëm mbi kompanitë dhe institucionet, por edhe mbi vetë punëtorët.
“Çdo punëtor duhet të refuzojë të punojë në vende ku rrezikohet jeta dhe shëndeti i tij, të përdorë pajisjet mbrojtëse personale dhe të respektojë procedurat e sigurisë në kantier”, u shpreh ai.
Vataj u bëri thirrje punëtorëve që të raportojnë çdo shkelje apo mungesë të masave mbrojtëse, duke theksuar se vetëm përmes reagimit të përbashkët mund të parandalohen aksidentet.
Sipas kreut të Shoqatës së Ndërtimit, ndërtimi i një kulture më të fortë të sigurisë kërkon angazhimin e përbashkët të kompanive, punëtorëve, institucioneve dhe organizatave profesionale.
“Vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet kompanive, punëtorëve, institucioneve dhe organizatave profesionale mund të ndërtojmë një kulturë më të fortë të sigurisë në vendet e punës”.

