Shkrimi dhe inskenimi i dramës shqipe, domosdoshmëri!

Në kuadër të Festivalit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës”, në sallën e vogël të Teatrit të Gjilanit, u organizua një panel diskutimi me prof. Fadil Hysaj, Jeton Neziraj dhe Besim Ugzmajli, rreth Laboratorit të Dramës Shqipe RKS_KOS Lab 2020-2021.

Erson Zymberi, drejtori i Teatrit të Gjilanit tha se ky është një projekt i përbashkët mes pesë teatrove, Teatri Kombëtar i Kosovës, Teatri i Gjilanit, Teatri Adriana – Ferizaj, Qendra Multimedia dhe Etno Teatri – Kukaj, që kishte për qëllim zhvillimin, nxitjen, shkrimin dhe prodhimin e dramës bashkëkohore shqipe.

Në këtë event u promovuan shtatë dramat e autorëve të rinj që u prezantuan shkurtimisht, përmes aktorëve, e më pastaj nga profesionistë të teatrit u diskutua mbi rëndësinë e dramës shqipe, stimulimit të shkrimit të tyre si dhe domosdoshmërinë e inskenimit nëpër teatrot tona.

Profesori Fadil Hysaj, teatrolog, tha me këtë rast se me këtë projekt kanë synuar nxitjen e shkrimit të dramave dhe nxitjen e trajtimit të temave tona nga dramaturgët e rinj. Ai tha se dramaturgët e rinj në këtë laborator kanë qenë të lirë në përcaktimin e temave, por ato që kanë dominuar kanë qenë dramat familjarë dhe politike.

Hysaj vuri theksin te nevoja e orientimit të politikave institucionale për stimulimin e shkrimit të dramave shqipe.

Ndërsa, Besim Ugzmajli theksoi se është i nevojshëm bashkëpunimi mes regjisorit dhe dramaturgut edhe gjatë procesit të shkrimit të dramës, gjë që u përkrahë nga Jeton Neziraj, dramaturg, por duke theksuar se një bashkëpunim i tillë më shumë është praktikë te regjisori dhe skenaristi, në rastin e shkrimeve të skenarëve për film.

Për më tepër, regjisori Ugzmajli tha se teatrot tona duket që së paku 50 për qind të repertorit ta realizojnë me dramat shqipe. Por ,ai vuri në pah edhe atë se regjisorët më tepër po janë të prirë të punojnë me drama të autorëve të njohur, me idenë se do të dalin më të suksesshëm, duke qenë më të rezervuar ndaj krijimtarisë së autorëve të dramës shqipe.

Përndryshe, “Talia e Janarit 2021”, vazhdon sonte me shfaqjen “Të vdekurit mbajnë zi për atdheun”, nga Beqir Musliu, regjisor Erson Zymberi, prodhim i Teatrit Kombëtar të Kosovës.