Shoqata ’17 shkurti’ ndihmon në pastrimin e varrezave të qytetit në Gjilan

Aktivistët e shoqatës “17 shkurti” i janë bashkëngjitur aksionit për pastrimin e hapësirave publike, duke bërë pastrimin e varrezave të qytetit të Gjilanit, para festës së madhe të Bajramit.

Ky aktivizëm i kësaj shoqate dhe banorëve të fshatit Dobërqan, vije pas angazhimit të vazhdueshëm në fshatin e tyre, të cilin e kanë bërë një mjedis pikturesk dhe që ua kanë lakmi shumë vende në Kosovë.

Duke e falënderuar këtë Shoqatë, nënkryetari i Komunës së Gjilanit, Arbër Ismajli, ka thënë se përkujdesja vendit ku të dashurit tanë pushojnë në përjetësi, është vepër e çmueshme para Zotit të madh dhe veçanërisht në këtë muaj të shenjtë të Ramazanit.

“Një falënderim i veçantë shkon për humanistin e madh, Ismet Abdyli, që së bashku me këta djemë të shoqatës “17 shkurti.ch”, Afrim Kastrati, Sylë Haziri, dhe Fitim Haliti, krijuan një imazh pozitiv dhe, natyrisht, treguan një respekt ndaj atyre që pushojnë këtu, por edhe për ata që i vizitojnë të afërmit e tyre”, ka thënë Ismajli.

Kjo shoqatë po tregon se ata që kujdesen për shtëpinë e tyre, gjejnë kohë dhe mundësi për t’iu dalë në ndihmë edhe të tjerëve./mediafokus.info