Shtyhet gjyqi për korrupsion ndaj zyrtarit të kompanisë “Ecohigjiena” në Gjilan

Ka dështuar të vazhdojë rigjykimi ndaj zyrtari i kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, në Gjilan, Senad Ramaj, i akuzuar për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ramaj akuzohet se në pozitën e anëtarit të bordit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.

Sipas prokurorisë, thuhet se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale-ekonomike, në këtë mënyrë që kompaninë “Eco Higjiena” e ka dëmtuar për 64,327.53 euro.Si shkak i këtij dështimi, ishte mungesa e dëshmitarit Fidan Hasani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, Aziz Shaqiri, ka njoftuar se dëshmitari Hasani kishte dorëzuar një parashtresë në gjykatë, duke e arsyetuar mungesën e tij për arsye shëndetësore.

Meqenëse, sipas prokurorit Isuf Sadiku dhe mbrojtësit të akuzuarit, avokatit Engjëll Rexhepi, Gjykata e Apelit ka dhënë vërejtje në vendimin e saj pikërisht për mosdëgjimin e këtij dëshmitari, ata kërkuan që seanca e së premtes të shtyhet për një ditë tjetër.

Këtë propozim të prokurorit Isufi dhe avokatit Rexhepi, e ka aprovuar trupi gjykues i udhëhequr nga kryetari Aziz Shaqiri, i cili ka njoftuar se dëshmitari Hasani nuk e ka përfunduar dëshminë e tij të dhënë në seancën e 8 nëntorit të këtij viti.

Seancën tjetër, gjykatësi Shaqiri e ka caktuar të mbahet më 6 mars 2020, në ora 9:30.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 15 nëntor 2018, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuza zyrtarin e “Eco Higjiena”, Senad Ramaj.

Lidhur me këtë aktgjykim të Themelores, ankesë në Gjykatën e Apelit kishte bërë Prokuroria Themelore në Gjilan.Gjykata e Apelit, më 16 maj 2019, e kishte aprovuar ankesën e prokurorisë, duke e kthyer rastin në rigjykim dhe vendosje.

Sipas Apelit, aktgjykimi i Themelores është i paqëndrueshëm, pasi i njëjti përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të parapara nga neni 384 paragrafi 1 nënparagrafi 12 të KPPK-së.

Sipas aktakuzës, Senad Ramaj, në pozitën e anëtarit të bordit të kompanisë së mbeturinave “Eco Higjiena”, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin e zyrtar, ka shitur për mbeturina hekuri shtatë automjete dhe kontejnerë, pronë e kësaj kompanie, në shumën prej 16,249.30 euro.

Një gjë të tillë, i akuzuari pretendohet se e ka bërë duke formuar komisionin për shitjen e aseteve me vendim të falsifikuar dhe pa i respektuar procedurat e shpalljes së ankandit publik.

Asetet e lartpërmendura, sipas prokurorisë, më 6 janar të vitit 2012, janë vlerësuar në kontabilitet në shumën prej 80,576.83 euro.

Në aktakuzë thuhet se këto asete janë shitur pa i përfillur procedurat e vlerësimit dhe konstatimit të gjendjes së tyre teknike dhe vlerës së tyre reale-ekonomike, në këtë mënyrë që kompaninë “Eco Higjiena” e ka dëmtuar për 64,327.53 euro. /BetimipërDrejtësi/