‘Tareanëve’ duhet rikujtuar se Koliqi e Camaj janë personalitete kombëtare të shtatit evropian

Prof dr. Martin Berishaj

Para disa ditësh, më rastisi të lexoj një shkrim, e që gati u shndërrua në ortek fejsbukian kundër Martin Camajt dhe Ernest Koliqit, duke konstatuar se, të dy na ishin bashkëpunëtorë të agjenturave të huaja dhe se këta na qenkan përveç tjerash antishqiptarë!

Po e shtoj unë këtë fjalë, pas leximit të një shkrimi të një personi të prezencës së rastësishme, njëfarë Auron Tare, dikush i cili po lavdërohet se na e paska krye shkollën “Skenderbej”, e që në fakt, ajo shkollë ushtarake në aspektin ideologjik nxënësve të vet u ka injektuar urrejtje të skajshme edhe sot e kësaj dite për këta studiues shqiptarë të cilët nuk u pajtuan me komunizëm.

Ky studiues paska edhe “argumente” se Koliqi dhe Camaj qenkan pikërisht ata që duhet më së paku edhe një shekull të tanë, t’i indeksojmë dhe t’i hedhim “në plehun e historisë!” mbase ata nuk e meritojnë vendin që duan t’u japin në historinë e kombit dhe të letërsisë shqiptare.

Ilustrimi më i mirë për këta lloj “studiuesish” (sikurse janë Tare me shokë, të cilët kanë vetëm një synim; për Koliqin dhe Camajn, të shtrojnë shtratin e urrejtjes kolektive, sepse ende i kanë halë në sy), është një poezi e Camajt që thotë:

“…këta surretënt e qepun me sukuj zhgunash vërejnë kah lindja bardhësinë e agimit e i kap tmerra!

Kjo ide për t’i quajtur kolaboracionistë njërin (Koliqin) dhe ikës nga Atëdheu tjetrin (Martinin), në fakt nuk është shpikje “Tariane”, kjo ide i ka rrënjët edhe më të thella, e që, si pasojë ka filluar të shpërthejë pasi ideologjia komuniste ishte shpërfillë dhe si e tillë përbuzej nga të gjithë ndër shqiptarë.

Herën e parë që kisha pas rast me dëgjua një gjë të tillë, ishte nga rrethi i letrave të “reja” shkodrane, nga njëfarë studiuesi Tomor Osmani, në Zagreb (në pauzë të një seminari mbi Mesharin e Buzukut të organizuar nga don Ndue Ballabani, misionar i Misionit katolik shqiptar në Zagreb, ku merrnin pjesë, Ledi Shamku Shkreli, Kolec Topalli etj.), kur pa pikë fytyrë deshi ta “shes” këtë ide se kinse Camaj paska qenë i lidhur me UDB!! dhe si i tillë duhet të rishikohet!

Por, mbasi që hasi në rezistencë të argumentuar, u tërhoq mbrapa dhe tentoi që me këtë ide të “ngarkonte fajin” studentëve shqiptarë kosovarë që studionin në vitet e 50-ta në Universitetin e Beogradit, në kohë kur studionte atje edhe Martin Camaj!

Fill pas vdekjes së Camajt, jo pa qellim, filloi anatemimi i serishëm i tij.

Kjo ide tashmë qenka mbarësuar dhe paska mbërritur edhe në Tiranë, në televizionet prestixhioze me protagonistë skenderbegian (jo nga ideologjia e Gjergj Kastriot – Skënderbeut) por nga ideologjia e shkollës ushtarake të sistemit monist në Shqipëri, me përfaqësues Auron Tare dhe jo vetëm!

Z. Tares dhe “tareanve” tjerë duhet rikujtua se do të ishit te kënaqur po që se, të arriturën e vet shkencore ta përfundonin aty ku Koliqi dhe Camaj e filluan.

Po mos të ishte Koliqi, për të dërguar mësuesit e parë, të përhap shkrim lexim në Kosovë dhe Sanxhak, e si refleks të saj edhe në Maqedoni, ndoshta edhe për një kohë nuk kishte pas kush ata shqiptarë as me i mësua!

Ndoshta ”tareanët” me shokë, do të duheshin të thellohen paksa në veprimtarinë e Koliqit dhe Camajt, sepse, këso tendencash për të zhvesh figurat kombëtare e pse jo edhe letrare, kemi sot sa të duash nëpër studio televizive andej e këndej tej kufirit.

Atyre gjithmonë duhet rikujtua se gegnishtja mundi të nxjerrë sikundër greqishtja e latinishtja personalitete kombëtare te shtatit evropian qe nga Buzuku e Bogdani e duke ardhur te Koliqi e Martin Camaj.

Sepse: …çdo kush ka dy shtigje përpara, e dallëndyshja nja, me u ba e bardhe…!