Në këto komuna do të ketë sot e nesër ndërprerje të energjisë

KEDS ka bërë të ditur se më 28 dhe 29 korrik do të ketë ndërprerje të energjisë në disa komuna për shkak të punimeve në rrjet.

Sipas njoftimit, punime do të zhvillohen në Prishtinë, Ferizaj, Gjilan, Gjakovë, Pejë dhe Prizren.

Ekipet do të kryejnë mirëmbajtje preventive, projekte investive, testime të pajisjeve mbrojtëse, si dhe ndërhyrje për eliminimin e defekteve.

Në Prishtinë, ndërprerjet do të prekin pjesë të rrugëve Hamez Jashari, Behje Gashi, Zahide Jashari dhe Luan Qerimaj, si dhe fshatrat Keqekollë, Prapashticë, Hajkobillë, Dabishevc dhe Mutivodë.

Ndërkohë, në Ferizaj punimet do të zhvillohen në disa dalje të rrjetit në zonën e Lipjanit, Kaçanikut dhe Prelezit të Muhaxherëve, ndërsa në Gjilan pa energji do të mbesin përkohësisht Bresalci, Koretishta, Poneshi, Parallova dhe disa fshatra të tjerë.

Edhe në Pejë, Gjakovë e Prizren janë planifikuar ndërprerje në lagje dhe fshatra të ndryshëm, ku në disa raste shkaku i ndërhyrjeve lidhet me mirëmbajtjen e rrjetit, ndërsa në të tjera me realizimin e projekteve investive apo punimeve të KOSTT-it.

KEDS ka theksuar se kohëzgjatja e ndërprerjeve ndryshon sipas lokacionit dhe natyrës së punimeve, duke u bërë thirrje qytetarëve dhe bizneseve të planifikojnë aktivitetet e tyre në përputhje me oraret e publikuara. Për listën e plotë të zonave dhe orareve të ndërprerjeve, konsumatorët mund t’i referohen njoftimit zyrtar të KEDS.